Monday, October 9, 2017
Fergesë Tirane me mëlci ( Receta + Fotografi )
Fërgesë Tirane, ose siç thone “tironcit”: “Fërges Tirone”, është një pjatë që e kam shumë përzemër! Edhe pse origjina e familjes sime nuk ështe nga kjo treve, dhe sic thuhet ne raste te tilla nga Tironcit “nuk e kena n’gjak”, në familjen time kjo pjatë është gatuar përherë dhe si shumë pjata të tjera tradicionale është emblemë e kuzhinës autoktone shqiptare. Duke biseduar me shume miq të mij, qe punojnë ka vite ne sektorin e shërbimit te restoranteve apo dhe duke u konsultuar me amvisa të familjeve autoktone tiranase kam mësuar që, si çdo gatesë antike dhe e vjetër në kohë, fërgesësës i është i vështirë përcaktimi me saktësi i zanafillës së saj si në kohë ashtu dhe në gjeografinë e territorit.
Përbërësit
500 gr mëlçi të zeza (ose dhe mish, kjo sipas dëshirës)
500 gr gjizë e bardhë
2 qepë mesatare
1 kokërr hudhër (sipas dëshirës)
1 lugë gjelle miell
Pak spec djegës (jeshil, i kuq)
250 gr lëng mishi, ose ujë i ngrohtë
4-5 lugë gjellë vaj
2-3 gjethe dafine (sipas dëshirës, shumëkush nuk e duron dot aromën e fortë të mëlçive dhe dafina në këtë rast aromatizon dhe ul këtë efekt)
Enët që nevojiten
Tigan me bazë 20-22 cm
Tave dheu ose argjile
Përgatitja
Në një tigan ku është nxehur vaji, hidhen mëlçitë e prera copacopa dhe fërgohen mire. Kur të jetë arritur avullimi i gjithë lëngut që përmbajnë hiqen nga zjarri dhe lihen veçantë. Përseri në tigan shtohet vaj dhe qepet e prera hollë, fërgohen derisa të zverdhen shtohet mielli dhe trazohen me lugë druri në mënyrë që të shmanget formimi i topthave. Mëpas shtohet lëngu i ngrohtë i mishit. Masës që është trashur i shtohet gjiza dhe trazohet që të njëtrajtësohet me qepën dhe miellin. Pasi fillon të zjejë i shtohen mëlçitë e zjera mëparë, speci djegës, thelpijtë e hudhrës (të paprerë) trazohen përsëri dhe transferohen në tavën e dheut. Tava futet në furrë të nxehur mëparë dhe piqet derisa ti dalë vaji sipër (“me i dal t’lynit cipër”). Shërbehet e nxehtë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

No comments:
Post a Comment